Kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, Benjamin Netanyahu, do të rikthehet në pushtet, një vit pasi qeveria e tij u rrëzua. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, partia e tij Likud doli e para në zgjedhje dhe do të jetë në gjendje të formojë një koalicion qeverisës me partitë ultra-ortodokse dhe ato të krahut të djathtë. Qeveria e re mund të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj palestinezëve dhe Iranit.
Benjamin Netanyahu dhe partia e tij Likud janë fitues të zgjedhjeve të së martës në Izrael, të katërtat në pesë vjet. Ish-udhëheqësi izraelit është në rrugën e duhur për të krijuar një koalicion fetar të krahut të djathtë me partitë ultra-ortodokse dhe ato të ekstremit të djathtë.
Fituesi tjetër i madh është politikani i ekstremist të djathtë, Itamar Ben-Gvir. Partia e tij “Zionizmi Fetar” tani është partia e tretë më e madhe në Izrael. Ai ka thënë tashmë se dëshiron të bëhet Ministër i Brendshëm i Izraelit, përgjegjës për çështje të ndjeshme si marrëdhëniet mes hebrenjve dhe myslimanëve në vendet e shenjta fetare të Jeruzalemit.