Belgjika është i pari vend anëtar i Bashkimit Europian që ka miratuar planin që java e punës të jetë katër ditë.
Punëtorët në Belgjikë tani kanë të drejtë për një javë katër-ditore por ata që aplikojnë nuk do të punojnë më pak. Rregullorja u hartua nga qeveria belge në shkurt të këtij viti dhe aktualisht ka hyrë në fuqi.
Megjithatë, punëtorët belgë do të vazhdojnë të punojnë të njëjtën sasi orësh gjatë javës. Java e punës katërditore belge ndryshon nga shumica e javëve të tjera të punës katër-ditore të prezantuara në vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA. Të gjithë punonjësit në Belgjikë, pavarësisht nëse punojnë në sektorin publik apo privat, do të kenë zgjedhjen të punojnë nëntë orë e gjysmë në ditë për katër ditë, ose tetë orë në ditë për pesë ditë.
Lëvizja kishte muaj që po bëhej, me kryeministrin Alexander de Croo që njoftoi paketën e re të masave të punësimit në shkurt, kur tha se shpresonte se java katërditore e punës do ta bënte tregun më fleksibël.
“Ne kemi përjetuar dy vite të vështira. Me këtë marrëveshje, ne vendosëm një fener për një ekonomi që është më inovative, e qëndrueshme dhe digjitale. Qëllimi është të jemi në gjendje t’i bëjmë njerëzit dhe bizneset më të fortë,” u shpreh ai.
Por sipas mediave lokale, punëdhënësit dhe punonjësit nuk po e përshëndesin këtë opsion të ri. Kompanitë kanë frikë se katër ditë punë mund të sjellin probleme organizative, ndërsa sindikatat frikësohen se kjo thjesht do të nënkuptojë një ngarkesë më të madhe pune për punonjësit në pjesën tjetër të javës.