Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ka reaguar për herë të parë pas lajmit për pezullimin e fondeve për bujqësinë nga Bashkimi Evropian.
Nga Kuvendi, Krifca tha se hetimi ka nisur që në shkurt të vitit 2021 dhe nuk është një lajm i ri. Sipas saj, në letrën e BE-së nuk flitet për një hetim për korrupsion.
Krifca tha se programi IPARD nuk është ndërprerë, por vijon punën në partneritet me BE-në.
Krifca: Lajmi që AZHBR është nën hetim është lajm i bërë publik që në vitin 2021. Lajmi i vetëm ka qenë pezullimi i pagesës si një masë preventive e përkohshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Bujqësisë në Bruksel, e cila e ka bërë me qëllimin sqarimin e rrethanave. Në atë letër nuk përmendet fjala korrupsion. Unë nuk mund të komentoj dhe as të parashikoj. Por, mund të siguroj se sistemi i menaxhimit të fondeve janë pikërisht ato që janë të akredituara nga Bashkimi Evropian. Nëse këto procedura të verifikuara nga kontrolli i brendshëm dhe i jashtëm, janë cenuar, imponojmë përmirësimin e tyre. Programi nuk është ndaluar, ai vijon. Autoritet zbatuese janë në punë dhe në partneritet të plotë me strukturat e BE.