Ministrat e Energjisë të Bashkimit Evropian nuk arritën të pajtohen për vendosjen e një çmimi tavan të gazit për ta zbutur krizën e energjisë në Evropë, mes përçarjeve të thella mbi propozimin fillestar të cilin disa e vlerësuan si “qesharak”.
Ministrat do të takohen sërish në dhjetor në përpjekje për të tejkaluar këto përçarje, tha ministri çek i Industrisë, Jozef Sikela, vendi i të cilit aktualisht udhëheq presidencën e BE-së.
Ai shtoi se ministrat arritën të miratojnë disa “masa të tjera të rëndësishme”, përfshirë blerjet e përbashkëta të gazit për të shmangur rritjen e çmimeve nga konkurrenca brenda BE-së dhe përshpejtimin e autorizimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Disa ministra që morën pjesë në takimin e së enjtes u ankuan se propozimi për çmimin tavan të gazit, i publikuar nga Komisioni Evropian vetëm para dy ditësh, ishte krijuar me synimin të mos përdorej kurrë.
Ministrat polakë dhe spanjollë të energjisë e quajtën propozimin “qesharak”.