Komisioni Evropian ka propozuar një reformë të rregullave doganore në Union, e cila ndër të tjera parashikon vendosjen e detyrimeve doganore për produktet vlera e të cilave është më e ulët se 150 euro.
Reforma e propozuar shfuqizon pragun aktual në bazë të të cilit mallrat me vlerë më të vogël se 150 euro përjashtohen nga taksat doganore, i cili u shfrytëzua gjerësisht nga mashtruesit.
Komisioni thekson se është praktikë shumë e zakonshme që pakot që hyjnë në BE aktualisht zhvlerësohen për të shmangur pagesën e doganës, transmeton Hina.
Sipas propozimit të ri, platformat online do të bëhen aktorët kryesorë për të siguruar që mallrat e shitura online në BE të përmbushin të gjitha detyrimet doganore.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm nga sistemi aktual doganor, i cili vendos përgjegjësinë mbi konsumatorët dhe transportuesit individualë. Platformat do të jenë përgjegjëse për të siguruar që tarifat doganore dhe TVSH-ja të paguhen në momentin e blerjes, kështu që konsumatorët nuk do të ekspozohen më ndaj tarifave të fshehura ose dokumenteve të papritura kur mbledhin paketat.
Duke qenë se platformat online janë importues zyrtarë, konsumatorët e BE-së mund të jenë të sigurt se të gjitha taksat janë paguar dhe se blerja e tyre është e sigurt dhe në përputhje me standardet mjedisore, të sigurisë dhe etike të BE-së.