Komisionet e Parlamentit Evropian arritën një marrëveshje paraprake për Aktin e Inteligjencës Artificiale, i cili do t’i hapë rrugën rregullimit të parë të inteligjencës artificiale, transmeton Hina.
“Megjithë dëshirat konservatore për më shumë mbikëqyrje dhe fantazitë e majta për rregullimin e tepruar, parlamenti gjeti një kompromis solid që do të rregullojë në mënyrë proporcionale inteligjencën artificiale, do të mbrojë të drejtat e qytetarëve, do të inkurajojë inovacionin dhe do të forcojë ekonominë”, tha eurodeputetja Svenja Hahn.
Komisioni Evropian propozoi projekt-rregullat gati dy vjet më parë në një përpjekje për të mbrojtur qytetarët nga rreziqet e teknologjisë në zhvillim, e cila ka parë një bum në investime dhe popullaritet në muajt e fundit.
Negociatat për Aktin e Inteligjencës Artificiale tani janë duke u zhvilluar ndërmjet institucioneve evropiane.
Propozohet që kompanitë që prodhojnë mjete gjeneruese të AI si ChatGPT të kenë detyrimin të zbulojnë nëse kanë përdorur materiale me të drejtë autori në sistemet e tyre.
Ligjvënësit u përpoqën të gjenin një ekuilibër midis inkurajimit të inovacionit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të qytetarëve.
Kjo ka bërë që mjete të ndryshme të AI të klasifikohen sipas nivelit të rrezikut të perceptuar: nga minimal në të kufizuar, të lartë dhe të papranueshëm.
Mjetet me rrezik të lartë nuk do të ndalohen, por kompanive do t’u kërkohet të jenë transparente në operacionet e tyre.