Bashkimi Evropian ka pezulluar përkohësisht fondet e bujqësisë për Shqipërinë. Siç thotë delegacioni i BE-së në Tiranë, pezullimi vjen pas disa hetimeve për korrupsion në kuadër të zbatimit të programit IPARD II.
Delegacioni thotë se nuk mund të japë më shumë informacione mbi hetimet, por flet për një raport që do të dorëzohet tek autoritetet shqiptare.
“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II.
Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”, thotë delegacioni i BE.