Dy ditë larg zgjedhjeve lokale në rang kombëtar për 61 bashkitë e vendit, kërshëria lidhet me përcaktimin politik brenda opozitës së bashkuar në koalicionin e ashtuquajtur “Bashkë Fitojmë”.
Por sa sukses do të regjistrojë “Bashkë Fitojmë”?
Në Qarkun e Tiranës, të vetmet suksese që mund të korrë ky koalicion në letër sigurisht janë Vora dhe Kavaja si dy bastione tradicionalisht të djathta edhe pse ëndrra e madhe do të jetë deri në fund kryeqyteti me kundërshtarin më serioz të Erion Veliajt, Belind Këlliçi.
Në Qarkun e Durrësit këto zgjedhje mund të rezultojnë decizive për fatin e pushtetit të selisë blu në një terren të shquar për bindjet e djathta politike. Durrësi si bashkia e dytë më e rëndësishme në vend mund të jetë surpriza e parë e madhe e prodhuar nga kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara. Kujdes, surpriza e dytë jo dhe aq e madhe do të jetë Shijaku për shkak të turbulencave dhe presioneve me votën. Duke lënë mënjanë Krujën, rezultati i këtij qarku mund të jetë 2-1 për opozitarët.
Në Qarkun e Elbasanit pritet një garë gjithashtu e ethshme mes Gledjan Llatjas nga Socialistët dhe Luçiano Boçit nga “Bashkë Fitojmë” për bashkinë kryesore. Fitorja e këtij të fundit nuk shihet edhe aq si surprizë pasi ai mbetet një emër më i njohur për zonën. Duke llogaritur edhe fitoren në një bastion demokrat si Peqini, rezultati i përgjithshëm në këtë zonë të vendit pritet të jetë 5-2 për mazhorancën.
Në Qarkun e Shkodrës parashikohet një fitore bindëse e koalicionit “Bashkë Fitojmë” duke nisur nga bashkia kryesore me Bardh Spahinë, i cili pritet të jetë favorit përballë Benet Becit të socialistëve. Malësia e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë-Arrëzi po ashtu janë bastione të djathta dhe duken si bashki favorite për këta të fundit. Ndërsa, në Pukë, gjasat janë që socialistët ta ruajnë pozitën drejtuese, duke parë edhe investimet e bëra.
Në Qarkun e Kukësit pritet një rikthim sërish i diktatit të Partisë Demokratike (jozyrtare) në logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Kjo, duke regjistruar një fitore në Kukës dhe Tropojë. Hasi mund të jetë surpriza e Socialistëve në këtë zonë gjerësisht të djathtë në traditën e saj.
Në Qarkun e Lezhës mund të realizohet një nga garat zgjedhore më të paparashikueshme më 14 maj. Opozitarët e bashkuar mund të korrin fitore në Lezhë dhe Mirditë duke lënë Kurbinin në dorë të mazhorancës. Por në kryeqendrën e rajonit pritet të jetë një garë tejet e fortë.
Në Qarkun e Dibrës, demokratët vijnë me pretendime të mëdha në të katërta bashkitë por parashikohet një baraspeshë 2-2 mes palëve politike. Në Dibër dhe Klos mund të parashikohet një fitore e mazhorancës, ndërsa në Mat dhe në Bulqizë mund të regjistrohet fitora opozitare.
Në qarqet e tjera si Fieri, Vlora, Berati, Gjirokastra apo Korça nuk mund të pritet shumë prej “Bashkë Fitojmë”, pasi këto rajone prej kohësh qeverisen bindshëm nga kandidatë të majtë përjashto bashki si Mallakastra, Selenica apo Finiqi.