Banka Botërore paralajmëron se ndarja e teknologjisë dhe kufizimet tregtare të shkaktuara nga tensionet midis SHBA-së dhe Kinës po dëmtojnë gjenerimin e njohurive dhe inovacionit në të dy superfuqitë, duke paraqitur një kërcënim afatgjatë për rritjen në Azi.
Për këtë shkruan Financial Times.
Zgjerimi i ndarjeve midis dy ekonomive më të mëdha në botë është aktualisht “çështja më urgjente” në rajonin e Azisë-Paqësorit, tha banka në raportin e saj ekonomik gjysmë-vjetor të publikuar të premten.
“Kufizimet dypalëshe në transferimet e teknologjisë dhe bashkëpunimi midis vendeve të mëdha mund të zvogëlojnë disponueshmërinë globale të njohurive”, tha Banka Botërore, duke shtuar se provat empirike sugjerojnë “efekte negative të kufizimeve të fundit” mbi kompanitë në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe të partnerëve kryesorë tregtarë.
Paralajmërimi erdhi pasi marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ranë në nivelin më të ulët që nga normalizimi i marrëdhënieve diplomatike midis vendeve në 1979.
“Udhëheqësi kinez Xi Jinping po bëhet gjithnjë e më i sigurt në lidhje me Hong Kongun dhe Tajvanin, si dhe në Detin e Kinës Jugore dhe po e mbështet Vladimir Putinin pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës”, shkruan FT.
Në SHBA, Joe Biden ka miratuar shumë nga “politikat më të ashpra” të paraardhësit të tij ndaj Kinës, duke përfshirë tarifat dhe kontrollet gjithëpërfshirëse të eksportit që synojnë të ndërpresin aksesin e kompanive kineze në teknologjitë kritike si gjysmëpërçuesit.
Në shenjën e fundit të thellimit të përçarjeve midis Kinës dhe Perëndimit, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i bëri thirrje të enjten BE-së të zhvillojë “mbrojtje të reja” për tregtinë e teknologjive të ndjeshme si kompjuteri kuantik dhe inteligjenca artificiale si pjesë e “de-rrezikimit të industrive të bllokut nga ambiciet e Kinës.
Gjetjet e Bankës Botërore, bazuar në një analizë të tendencave në SHBA dhe Kinë, treguan se masat e marra nga Pekini dhe Uashingtoni pas vitit 2018 dëmtonin inovacionin e korporatave në të dy vendet.
Kjo, nga ana tjetër, kërcënon të dëmtojë dekada të rritjes së qëndrueshme ekonomike në rajonin e Azisë-Paqësorit, si dhe bashkëpunimin në luftën kundër ndryshimeve klimatike, tha banka.
Ndërsa shtytja për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit të prodhimit dhe teknologjisë nga Kina fillimisht i dha një shtysë Indisë dhe Azisë Juglindore, Banka Botërore paralajmëroi se po shfaqeshin probleme më të thella.
Por këto mundësi mund të minohen nga një përçarje e mëtejshme midis SHBA-së dhe Kinës, e cila ndërpret flukset tregtare dhe rrit kostot për kompanitë, duke i detyruar ato të ndajnë zinxhirët e tyre të furnizimit për të shmangur shkeljen e kufizimeve të eksportit. Pasiguria mund të çojë në ulje të investimeve, përmbledh banka.