Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri këtë të martë një analizë të punës vjetore të institucionit që ajo drejton.
Gjatë konferencës për media, Balluku nënvizoi sfidat me të cilat është ndeshur vendi gjatë vitit 2022.
Ajo tha se energjia është një nga sektorët ku lufta ka pasur ndikimin më të madh.
“Ia kemi dalë të mbrojmë 1 milion e 90 mijë abonentë familjarë. Kemi mbrojtur 172 mijë biznese të vogla dhe 7500 biznese të lidhura në tensionin e mesëm me mburojën energjetike sociale që u aktivizua menjëherë për të mos ekspozuar askënd nga konsumatorët”, tha ajo.
Në fjalën e saj Balluku u ndal te nisma për subvencionimin me 70% të kostos për familjet shqiptare të cilat zgjedhin të vendosin panele.
“Sot fondi është vendosur në dispozicion dhe kemi operative 1040 njësi. Është vërtetuar se 20% e konsumit të faturës është ngrohja e ujit, ndaj dhe në vitin 2023 planifikojmë që ky numër familjesh të arrijë në 20 mijë në total, me një fond prej 8 milionë euro subvencionim nga qeveria”, tha Balluku.