Administratori i plazhit të Vilë-Bashtovë në Kavajë, është arrestuar pas mbytjes së babait bashkë me dy djemtë e tij.
34-vjeçari është vënë në pranga pasi pas kryerjes së hetimeve rezultoi se nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
Dje u mbytën teksa laheshin në det 50-vjeçari nga Tirana dhe dy djemtë e tij, përkatësisht 17 dhe 13 vjeç.
“Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur mesditën e datës 09.07.2023, në plazhin e Vilë-Bashtovës, ku humbën jetën nga mbytja në det, 3 shtetas (babai dhe dy djemtë e tij të mitur), strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin P. N., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i operatorit turistik që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, pjesën e plazhit të Vilë-Bashtovës, ku ndodhi kjo ngjarje.
Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera në terren ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit), dhe për pasojë janë mbytur në det, shtetasit E. H., 50 vjeç, R. H., 17 vjeç dhe M. H., 13 vjeç, banues në Tiranë.”, bën me dije policia.