Autoritetet austriake kanë ndaluar Stela Gugallen, e cila akuzohet për aferën korruptive miliona euroshe të inceneratorëve, si pronare e shoqërisë “Albtek Energy”.
Prokuroria e Posaçme është njoftuar se në Gjykatën e Vienës në Austri, është duke u kryer procedura e ekstradimit të Stela Gugalles, për në vendin tonë, në zbatim të urdhërit të kërkimit ndërkombëtar për këtë shtetase.
SPAK njofton se për këtë procedurë ka përcjellë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë të gjithë dokumentacionin për kryerjen e procedurës së ekstradimit, megjithatë ende nuk ka një informacion se kur mund të ekstradohet Stela Gugallja.
Në dhjetor të vitit 2022, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen për inceneratorin e Elbasanit nën akuzën e korrupsionit aktiv e pasiv, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave.
Nën akuzë janë, vetë Stela Gugallja, ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako si dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, mes tyre biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Nën akuzë penale janë edhe kompanitë “Albtek Energy” e Stela Gugalles dhe “Integrated Technology Services”.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit dyshohen se kanë dhënë koncesion në kundërshtim me ligjin, kanë lëshuar dhe pranuar fatura për punime të paqena dhe kanë transferuar paratë e përfituara përmes një rrjeti kompanish false.
Prokuroria thotë se dy kompanitë e incineratorit të Elbasanit kanë paguar rreth 329 milionë lekë (afërsisht 3 milionë euro) fatura për punë të pakryera.