Një zjarr i madh ka përfshirë një stacion hekurudhor dhe ka djegur disa shtëpi në Aguascalientes në Meksikën qendrore, ku një autobot nafte u përplas në një mbikalim.
Videoja e zjarrit u bë virale në mediat sociale, duke përfshirë pamjet ajrore të tymit të zi që mbulon një zonë të madhe të qytetit. Një video tregoi një tren mallrash që gjithashtu u përfshi nga flakët. Autoritetet bënë të ditur se mbi 1500 njerëz janë evakuuar, ndërsa dëmet janë të mëdha.
Nuk ka raportime për të vdekur, por disa persona kanë pësuar lëndime të lehta dhe po trajtohen në spital. Policia ka ndaluar drejtuesin e kamionit. Nuk dihet saktësisht se si ndodhi përplasja por raportet fillestare kanë bërë të ditur se kamioni ishte përplasur me një tren, por Reuters bën të ditur se kamioni goditi një mbikalim.
Firma shtetërore e naftës Pemex ka mohuar të ketë në pronësi kamionin dhe thotë se po ndihmon në përpjekjet për të vendosur nën kontroll zjarrin. Rreth 200 zjarrfikës po përpiqen të frenojnë flakët së bashku me helikopterë.