Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimin e një materiali audio, të publikuar ditët e fundit ku pretendohet se janë komunikimet e Gardës së Republikës më 21 janar 2011, në protestat e dhunshme të opozitës së asokohe, ku mbetën të vrarë nga plumbat 4 protestuesit, Hekuran Deda, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.
Në këtë audio pretendohet se kreu i Gardës në atë kohë, Ndrea Prendi komunikon me disa oficerëve, ku jep urdhra të bëhen gati për zjarr.
Prokuroria e Tiranës, i ka deleguar Policisë së Shtetit edhe kryerjen e veprimeve hetimore në lidhje me verifikimin e audio regjistrimeve të publikuara së fundmi.
Organi i akuzës njofton gjithashtu se në vitin 2021 është vendosur rifillimi i hetimeve për zbulimin e autorit të vrasjes së Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Për këtë çështje në vitin 2013, Gjykata e Tiranës, vendosi shpallen të pafajshëm të gardistit Agim Llupo.
Hetimi i parë çoi në bankën e të akuzuarve për ngjarjen e 21 janrit, Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia, ndërsa dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite heqje lirie.
Sakaq Prokuroria e Tiranës vijojë hetimet për një nga vrasjet që ka mbetur pa autor më 21 janar, ajo e Aleks Nikës, ndërkohë që qeveria bën presion nga ana tjetër që dosja e 21 janarit, t’i kalojë SPAK-ut.