Valter Bami i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme nga policia e Tiranës ka mohuar sërish që ai të jetë pjesëmarrës në atentatin ndaj Gentian Bejtjes ku humbi jetën Ramazan Sino. Gjatë marrjes në pyetje në drejtorinë e Policisë së Tiranës, Bami është shprehur se kur ka ndodhur ngjarja ai po qëndronte në shtëpi. Mirëpo burime nga policia bëjnë me dije se janë të bindur se 37-vjeçari ka qëlluar me armë atë natë. Evidentimi i shenjave të barutit është bërë në mikroskop elektronik, që ka qenë vendimtar për nxjerrjen e urdhër arrestit për Bamin. Deri më tani ka vetëm një akuzë ndaj Bamit, atë të armëmbajtjes pa leje. Bashkë me Bamin u shoqëruan në polici edhe dy persona të tjerë të cilët ndodheshin në shoqërinë e Bamit. Pasi janë marrë në pyetje ata pritet të lirohen pasi nuk janë ngritur akuza ndaj tyre.
Gjurma e barutit i është gjetur Bamit tek kyçi i dorës. Bami ka pasur doreza dhe pjesa e gishtave dhe pëllëmbës ka dal e pastër. Atentati ndodhi më 4 korrik 2023 ku ndërroi jetë Ramazan Sino dhe u plagosën dy djemtë e mitur të Gentian Bejtjes.