Të shtëna me armë zjarri raportohen të kenë ndodhur pak minuta më parë në mbikalimin e Panajsë. Nga informacionet paraprake, dyshohet se kanë mbetur të vrarë dy persona.
Makina e viktimave u qëllua me breshëri plumbash në xhamin e përparmë. gjatë kohës që ishte në lëvizje. Mjeti ka rënë në një kanal, pasi drejtuesi është qëlluar me Kallashnikov, ndërkohë që dyshohet se janë dy viktimat e atentatit. Autorët e krimit janë larguar pa lënë gjurmë.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pak minuta pas vrasjes në Vlorë, një makinë është gjetur duke u djegur në Fier. Mendohet se kjo ka qenë makina e autorëve të atentatit që qëlluan ndërsa makina e viktimave ishte në lëvizje.
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 09:50, në dalje të fshatit Panaja, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në rrethana ende të pa qarta, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ndodhen brenda një automjeti tip “Benz”.
Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip “BMW”, pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Nga kqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndodhet në vendin e ngjarjes, ku vijon puna për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identfikimin dhe kapjen e autorit/ve, si dhe identifikimin e dy shtetasve të gjendur pa shenja jete.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, Delta Forcës e FNSH-së, në bashkëpunim me DVP Fier kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autrorëve.