Një atentat me eksploziv është regjistruar mesditën e kësaj të hëne ku shënjestra ka qenë Aldi Mustafa, 37-vjeç, një person me precedent të theksuar kriminal, pjesë e grupit të ‘Rrumit të Shijakut’. Mësohet se atij i ishte vënë një sasi eksplozivi në gomën e pasme të automjetit tip Golf 6, por për fat të mirë, ai ka mbetur i pa lënduar.
“Rreth orës 14:00, në aksin rrugor Shkozet – Durrës, në automjetin në lëvizje, që drejtohej nga shtetasi A. M., 37 vjeç (i vetëm në automjet), në gomën e pasme, në krahun e pasagjerit, dyshohet se ka shpërthyer lëndë eksplozive. Nga shpërthimi i lëndës eksplozive nuk ka persona të dëmtuar, por vetëm dëme materiale. Në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.
Aldi Mustafi, 37 vjeçar, njihet si një person me precedentë penalë. Ai është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare pasi është arrestuar më 30 gusht të 2021 me dy të tjerë, në tentativë për të kryer një atentat. Aldi Mustafa, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani.