Misioni hapësinor “Artemis 2”, i cili do të marrë një ekuipazh astronautësh në një udhëtim rreth Hënës për herë të parë që nga viti 1972, është planifikuar për në nëntor të vitit të ardhshëm, njoftoi agjencia amerikane e hapësirës – NASA.
Një njoftim i tillë u mundësua nga suksesi i misionit “Artemis 1”, i cili përfundoi në dhjetor pas 25 ditësh në hapësirë, raporton AFP.
Anija kozmike Orion, e cila nuk kishte ekuipazh për fluturimin e saj të parë provë, orbitoi me sukses Hënën përpara se të kthehej në Tokë. Një analizë e detajuar e atij misioni vazhdon, tha NASA.
Këtë vit NASA duhet të shpallë edhe emrat e katër astronautëve që do të jenë në ekuipazhin e misionit “Artemis 2”. Tani për tani, dihet se një nga astronautët do të jetë kanadez.
Misioni do të rrotullohet rreth Hënës vetëm për 10 ditë dhe nuk do të ulet në satelitin e Tokës.
Më pas është planifikuar misioni “Artemis 3”, gjatë të cilit astronautët do të zbresin në sipërfaqen e Hënës, transmeton Beta.