Policia ka arrestuar bashkëshortin e Bedrie Lokës, e cila humbi jetën më datë 2 janar si pasojë e konsumimit të fotoksinës. Nga hetimet rezulton se Xhemal Loka e ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten pas denigrimeve që asaj i bëheshin në rrjetin social Tik Tok.
Policia deklaron se 45-vjeçari, kur ishte kthyer nga Greqia e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten me thikë në prezencë të njërit prej fëmijëve. Ky konflikt ka ndodhur më datë 27 dhjetor, por nuk u denoncua nga bashkëshortja.
Prokuroria e Durrësit dyshon se dhuna e vazhdueshme e Xhemal Lokës ndikoi që 41-vjeçarja t’i jepte fund jetës. Gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesës, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.
Në polici janë pyetur dhe kolegët e 41-vjeçares, të cilët kanë dëshmuar se ajo e vuante denigrimin që i bëhej prej një viti në rrjetin social Tik Tok. Raportohet se në lidhje me denigrimin që i bëhej në Tik Tok. Viktima kishte bërë denoncim në policinë e Durrësit në dhjetor të vitit 2022.