Dritan Shkëmbi, i shumëkërkuar nga autoritetet shqiptare si anëtar i grupit kriminal të Plaurent Dervishajt, është arrestuar ditën e sotme nga policia e Abu Dhabit të Emiratve të Bashkuara. Shkëmbi është një nga personat e shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji dhe Rrumit të Shijakut.
Operacioni është zhvilluar nëpërmjet një bashkëpunimi mes SPAK dhe Interpol Abu Dhabi në koordinim me qendrën e Interpolit në Francë. Ndaj tij, GJKKO kishte caktuar masën e arrestit me burg për Dritan Shkëmbin, për përfshirjen e tij në atentatin e organizuar ndaj ish-prokurorit të Durrësit, në vitin 2019.
Sipas dosjes hetimore, dyshohet se për këtë atentat, Dritan Shkëmbi dhe Julian Meçaj kanë komunikuar në aplikacionin ‘SKY’ mes datave 13 gusht dhe 23 shtator të vitit 2019 për të rënë dakord mbi sigurimin e kushteve dhe mjeteve për realizimin e vrasjes.
Pas arrestimit të Shkëmbit, pritet nisja e procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë, megjithatë nuk dihet nëse ky ekstradim do të kryhet, për shkak se Shqipëria nuk ka një marrëveshje të tillë me Abu Dhabin.
Lidhur me atentatin ndaj Arjan Ndojt, rreth një muaj më parë, 5 persona u arrestuan dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim nga SPAK. Në një operacion të gjerë policor të koduar “Komploti” u arrestuan Kili Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri, dhe Bashkim Haxhija, ndërsa në kërkim u shpallën Plarent Dervishaj, Julian Meçaj, Ramazan Rrajan si dhe një person me inicialet A.SH.