Një 29-vjeçar në Fier është arrestuar nga policia teksa ishte duke përgatitur kryerjen e një atentati. Shtetasi A. M., është kapur me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë), në 2 automjete.
29-vjeçari u arrestua në aksin rrugor “Mbrostar-Fier”, ndërsa në kërkim janë shpallur Ervis Cukali, Sebastian Lataj dhe Arafat Manërkolli. 29-vjeçari është i dyshuar në rrëmbimin e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Thodhorit, disa muaj më parë në Sarandë.
“Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasit A. M., 27 vjeç, banues në Dibër dhe E. C., 25 vjeç, banues në Tiranë (të cilët u shpallën në kërkim), i kishin siguruar këto kushte dhe mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale. Policia sekuestroi 2 automjete, 2 çanta me rreth 21.3 kg lëndë plasëse artizanale, e montuar me celularë, për shpërthim në distancë, 3 bidonë me benzinë dhe 4 celularë.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve L. Th. dhe F. S., zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin S. L., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim”, njofton policia.