Ka rënë në prangat e policisë pronari i argjendarisë në Elbasan, i cili ka akuzohet se ka bashkëpunuar më dy pensionistët italianë që kanë shitur në vendin tonë 200 mijë euro flori të rremë. Pronari i argjendarisë, me iniciale J. T., 53 vjeç, banues në Elbasan akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencura” dhe “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
Kujtojmë se dy italianët kanë rënë në prangat e policisë dy ditë më parë. Bëhet fjalë për F. M., 67 vjeç, banues në Napoli, dhe R. G., 76 vjeç, banues në Milano. Këto dy miq dhe bashkëpunëtorë në krim, shitën nëpërmjet mashtrimit, ar të rremë me vlerë 200 000 euro, ndërsa u arrestuan nga policia e Elbasanit në flagrancë në një argjendari, gjatë tentativës për të shitur sërish.
Nga hetimet rezultoi se këta pensionistë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shitur ar (metal) në formë kokrrizash, me vlerë 200 000 euro, në Tiranë dhe Podgoricë, gjatë periudhës qershor-gusht 2022. Materiali që këta shtetas kanë shitur ka rezultuar më pas, i përzier me metale të tjera. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 kilogramë ar i dyshuar si i rremë, 160 gramë ar i pastër, 4 aparate celulare, 1500 euro dhe 150 franga zviceriane.
Njoftimi i policisë:
Elbasan – Në vijim të operacionit policor të koduar “Fake Gold”, të finalizuar 2 ditë më parë, si rezultat i të cilit u arrestuan 2 shtetas italianë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencura” dhe “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, si dhe u sekuestruan sasi ari i rremë dhe i pastër, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, shtetasin J. T., 53 vjeç, banues në Elbasan, pronari i argjendarisë në qytetin e Elbasanit, ku u arrestuan në flagrancë 2 shtetasit italianë.