Autoritetet britanike kanë arrestuar tre persona të cilët akuzohen se vranë më 19 prill biznesmenin Ardian Nikulaj në bar-restorantin e tij “Coral”.
Bëhet fjalë për porositësin e vrasjes Edmond Haxhia dhe dy shtetasit britanikë Thomas Mithan dhe Steven Hunt, të cilët kanë pasur një rol prej vëzhguesi gjatë planifikimit të ekzekutimit.
Mbeten ende në kërkim ekzekutori portugez Ruben Saraiva dhe dy anglezët e tjerë, Harry Simson dhe Harriet Bridgeman.
Pas bërjes publike të lajmit ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
“Përgëzime Policisë së Shtetit dhe partnerëve tanë britanikë për lajmin e konfirmuar për arrestimin e 3 personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë në Shëngjin disa ditë më parë. Reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me Policinë e Shtetit dhe një punë e shkëlqyer hetimore e operacionale”, u shpreh fillimisht zyrtari shqiptar.
Sipas tij, vijon puna intensive edhe për arrestimin e personave të tjerë në atë ekzekutim kriminal dhe vënien e tyre para drejtësisë.