Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka bërë të ditur se Arben Vita është riemëruar si ministër i Shëndetësisë.
Në njoftim thuhet se Kurti “i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”.
Vitia kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë në tetor të vitit të kaluar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale për kryetar në Komunën e Prishtinës – garë të cilën e kishte humbur kundër kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.
Vitia kishte shërbyer si ministër i Shëndetësisë edhe në Qeverinë Kurti 1 më 2020.
Pas dorëheqjes së tij, rreth një muaj më vonë, ministër i Shëndetësisë ishte emëruar Rifat Latifi. Por, ky i fundit dha dorëheqje më 6 tetor, gati një vit pas marrjes së detyrës.
Që nga atëherë, Kosova ishte me ushtruese detyre të ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në shtator kishte themeluar Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi i cili udhëhiqet nga kryeministri Kurti.
Sipas vendimit të Qeverisë, disa nga përgjegjësitë e këtij komisioni janë zhvillimi i sistemit informativ i sistemit shëndetësor, në të gjitha nivelet e sektorit publik dhe privat, analiza dhe definimi i ndarjes dhe bashkëpunimit publiko-privat në shëndetësi si dhe reforma tjera në sistemin shëndetësor të Kosovës.
Ky Komision deri më tani ka zhvilluar disa takime.