Pavarësisht pretendimeve se nuk ka qenë i përfshirë, Gjykata e Apelit të Tiranës, ka lënë në fuqi masën e sigurisë, “arrest me burg” për Havier Dobin, i cili bashkë më nënën e tij Rozeta Dobi, akuzohen se kanë vjedhur një shumë prej 120 mijë eurosh në banesën e zyrtares Alda Klosi, si dhe për 404 mijë euro të tjera të cilat vijojnë të jenë pa zot.
Pozitat e Havier Dobit, janë rënduar pasi organi i akuzës ka pamje filmike ku ai shihet teksa pret për më shumë se 10 minuta në makinë nënën e tij Rozetën, e cila kishte vjedhur paratë. Po ashtu një provë e fortë nga prokuroria janë edhe 50 mijë eurot që 23-vjeçarit i janë gjetur në çantën e dorës gjatë momentit të arrestimit nga policia.
Pas një denoncimi në polici, për vjedhjen e banesës te “Rruga e Kosovarëve” nga zyrtarja Alda Klosi, hetuesit zbuluan se 120 mijë euro dhe sende të tjera me vlerë në banesën e saj ishin marrë nga pastruesja Rozeta Dobi dhe i biri i saj Havier, të cilët më pas u vunë në pranga.
Si rezultat i një përgjimi në dhomat e paraburgimit, policia zbuloi se ata kishin vjedhur edhe një shumë tjetër prej 404 mijë euro, të cilat i kishin fshehur në tubin e aspirimit, por për këto 404 mijë euro, ende nuk ka një pronar, ndërsa vetë Klosi ka deklaruar se shifra që ajo posedonte ishte 120 mijë euro. Dyshimet e policisë janë se paratë mund të jenë të vjedhura edhe në banesa të tjera, jo vetëm te ajo e Alda Klosit, pasi Rozeta Dobi ka kupuar për vite të tëra në shumë shtëpi të tjera.
Nga ana tjetër Klosi, pronare e shtëpisë ku u vodhën 120 mijë eurot, ka pretenduar para hetuesve se shuma që është marrë në banesën e saj, janë të xhaxhait të ndjerë, të cilat i mbante për tu shëruar nga një sëmundje e rëndë.