Samiti i nivelit të lartë për natyrën që u mbajt në Kanada ka ngritur alarmin për të disatën herë për çështjen e klimës. Qeveritë e botës që u mblodhën në Montereal kanë rënë dakord për objektivat për të rikthyer humbjen e natyrës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri të ditur se bota ka një shans për të ndaluar shkatërrimin që ka vënë një milion specie në rrezik zhdukjeje. Sipas tij njerëzimi është bërë ‘arma’ kryesorë për problemet që po has natyra në të gjithë planetin.
‘Ne po bëjmë luftë kundër natyrës. Kjo konferencë ka të bëjë me detyrën urgjente për të bërë paqe. Sepse sot ne jemi jashtë harmonisë me natyrën. Varësia jonë ndaj lëndëve djegëse fosile e ka futur planetin në kaos nga valët e të nxehtit dhe zjarret të nxitura nga e thatësira. Ne po e trajtojmë natyrën si një tualet dhe në fund po bëjmë vetëvrasje. Për shkak të humbjes së natyrës dhe biodiversiteti vjen me një kosto të madhe njerëzore, një kosto që ne e masim në punë të humbura, uri, sëmundje dhe vdekje pra gati 6 trilion dollarë amerikanë në humbje vjetore deri në vitin 2030’, u shpreh Antonio Guterres.
Në Montreal afro 200 vende do të përpiqen të bien dakord për një mënyrë për t’i dhënë fund shkatërrimit. Deri në 40% të sipërfaqeve tokësore konsiderohen të degraduara, sipas një vlerësimi të 2022 të OKB-së.