Viti që lamë pas, për surprizën e vetë fabrikave të industrisë automotive në vend, rezultoi më pozitiv sesa ishte parashikuar. Përfaqësuesit e kompanive presin që të vijojë edhe në vitin 2023 kjo tendencë rritje, si efekt i masave të marra nga kompanitë mëmë për zhvendosjen e prodhimit në fabrikat shqiptare në një pjesë të rasteve, edhe për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë. Një pjesë e fabrikave janë ende në fazë zgjerimi, si pjesë e planit të biznesit, ndërkohë që “thembra e Akilit” si për çdo sektor duket se po kthehet mungesa e fuqisë punëtore.
Vështirësitë e vitit 2022 nuk e penguan industrinë automotive në vend që të vijonte rritjen. Grupi “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, ku përfshihen edhe produktet e fabrikave të kësaj industrie ishte i dyti me kontributin më të lartë në zgjerimin e eksporteve, pas tekstileve e këpucëve, sipas të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga Instituti i Statistikave. Ky grup u rrit me 37% për 10-mujorin 2022.
Në vend veprojnë prej disa vitesh kompani të industrisë automotive që prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si Mercedez Benz, KIA, Hyundai, Peugot, Renault, Fiat Group, Sumitomo Electric Industries.
Shtimi i numrit të kompanive në njërën anë, por edhe zgjerimi i atyre që janë në treg prej vitesh janë dy nga arsyet pse eksportet e grupit ku bëjnë pjesë produktet e industrisë automotive kanë ardhur në rritje.
Vit pas viti, nga Forschner te Delmon, Yura, PSZ apo SEWS Cabind, numri i fabrikave dhe të punësuarve në sektor është rritur.
Përfaqësuesit e kompanive parashikojnë që edhe viti 2023, të jetë vijim i rritjes së 2022-shit që, në njëfarë mënyre, vjen nga zhvendosja e prodhimit në fabrikat shqiptare prej atyre që ndodhen në zonën e konfliktit Rusi-Ukrainë.
Ertjan Çabiri, nga Delmon Group Albania, nënvizon se kërkesa, dhe rrjedhimisht shitjet e kompanisë për vitin e shkuar, kanë qenë në rritje krahasuar me nivelin e buxhetuar në fillimvit.
“Arsyeja është sepse kërkesa në sektorin automotiv nuk pati rënie domethënëse, por edhe për shkak të dinamikave brenda grupit tonë, ku për disa produkte të tjera, prodhimi u transferua në Shqipëri”, – pohon ai, teksa shpjegon se lufta ishte një goditje e re për botën, pas asaj të pandemisë dhe energjisë.
Pjesa më e madhe e fabrikave shqiptare presin që të ketë rritje të prodhimit. Administratori i Forschner Albania, Ercan Yagmur, pohon se në vitin 2023, pritet rritje me 30% në raport me vitin e kaluar.
“Situata globale e zinxhirit të furnizimit me lëndë të parë po vuan ende pasojat nga pandemia, e cila krijoi një lloj shkëputje të zinxhirit botëror të prodhimit të lëndës së parë.
Në zgjatjen e kësaj situate ka pasur ndikim të madh edhe lufta Rusi-Ukrainë, kështu që nuk mund të flitet për arritje objektivash 100%. Për aq kohë sa konflikti Rusi-Ukrainë do të vazhdojë, situata ka pak gjasa të përmirësohet.
E ardhmja po shihet gjithsesi pozitive sa i përket prodhimit në Shqipëri, për shkak se klientët kanë parashikuar rritje të porosive, e cila përkthehet në më shumë vende pune, më shumë të ardhura për kompaninë” pohon ai.
Edhe Mario Scarfalloto, menaxher i SEWS Cabind Albania, thekson se kompania është ende në fazë zgjerimi, e cila do të vazhdojë në vitin 2023 si pjesë e planit fillestar të biznesit.
“Sot jemi më shumë se 1200 persona staf, direkt dhe indirekt, në dy impiante të ndryshme dhe pa dyshim synojmë të zgjerohemi. Në vitin fiskal 2023 kemi planifikuar hapjen e një fabrike të tretë, që tashmë është në ndërtim dhe do të krijojë vende pune për 1000 persona të tjerë”, – shprehet ai.
Industria, sipas z. Scarfalloto do të vijojë të shfaqë probleme në kushtet kur kërkesa e klientëve mbetet e paqëndrueshme, pasi ndikohet nga mungesa e lëndëve të para të ndryshme.