Gjykata e Lartë le në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Aldo Baren, të akuzuarin si drejtues të bandës famëkeqe të Lushnjës.
Çështja ndaj Bares, i njohur dhe si Alfred Shkurti, u rigjykua në Gjykatën e Lartë në zbatim të një vendimi të Kushtetueses të vitit 2017.
Përballja e Bares me drejtësinë ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e gjykimit.
Organizata kriminale e njohur si “banda e Lushnjës”, sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, i shënoi fillesat e saj në korrik 1977.
Krijimi i saj u pasua me ngjarje të rënda kriminale, përfshi vrasjet me paramendim. Sipas prokurorisë, veprimtaria kriminale e kësaj organizate u shtri në vitet 1998-2005.
Pesë vite pasi Kushtetuesja e ktheu çështjen për rigjykim, Gjykata e Lartë vendosi të marrë në shqyrtim dosjen penale ndaj ndaj Aldo Bares, ish kreu i bandës famëkeqe të Lushnjes, i cili prej vitesh po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Në 2017, me një vendim unanim, Gjykata Kushetuese vendosi të cilësojë si shkelje kushtetuese, faktin se Gjykata e Lartë nuk ka pranuar të shqyrtoj rekursin e Aldo Bares, që ankimoi vendimet e dënimit të tij. Për rrjedhojë, atij i lind e drejta të kërkojë lirinë.
Në vendimin e Kushtetueses, thuhet se Gjykata e Lartë nuk i është përgjigjur pretendime të Aldo Bares, duke i shkelur atij të drejtën e aksesit dhe të ankimimit. Kështu, dosja “Bare” u kthye për rigjykim në Gjykatën e Lartë me arsyetimin e shkeljeve të rënda procedurale.