Policia ka sekuestruar një apartament dhe një garazh në pronësi të ish-zyrtares së shtetit, Alda Klosi.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale në DVP Tiranë, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, sekuestruan pasuri të palujatshme në pronësi të shtetasit A. K., konkretisht një apartament dhe një garazh në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, tha policia.
Kujtojmë që Alda Klosi është lënë në masën arrest me burg nga gjykata.
Kjo, pas zbulimit të një shumë parash në shtëpinë e saj të cilat u vodhën nga pastruesja Rozeta Dobi.
Mbi ish zyrtaren e shtetit, Alda Klosi rëndojnë disa vepra penale:
“Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Alda Klosi u arrestua mbrëmjen e 3 shkurtit pasi në banesën e saj, dyshohet se në muajin dhjetor, u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë nga Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në banesën e marrë me qera prej zyrtares.