Pas takimit të ditës së djeshme me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Bruksel i cili nuk rezultoi aspak frytdhënës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur të shtyjë me 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për çështjen e targave.
Propozimi për shtyrjen e vendosjes së gjobave erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me në krye ambasadorin amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier.
Pasi vendosi shtyrjen me 48 orë, Kurti u shpreh i lumtur që të do punojë me SHBA-të dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje në dy ditët e ardhshme.
“Falenderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kurti.
Fillimisht Qeveria e ka pasur 31 tetorin si afat të fundit për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS- Republika e Kosovës. Sipas planit të ri, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të ketë masë qortuese për pronarët e makinave me targa serbe dhe nga 21 nëntori deri më 21 janar do të ketë gjobë.
Sipas vendimit qeveritar, më vonë do të përdoren targat provë dhe pas 21 prillit, në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa.