Albin Kurti ka folur së fundmi për “The Guardian” lidhur me tensionet në veri të Kosovës. Prej një periudhe 11 ditore, Serbia ka vendosur barrikada në veri të vendit. Kurti është shprehur se heqja e tyre mund të shkaktojë viktima, por nuk do të lejojë që të shkelin ligjin e Kosovës dhe se kjo situatë duhet të përfundojë sa më shpejt.
“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat,” tha ai. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë. BE-SHBA të gjitha pajtohen që barrikadat duhet të hiqen. Por ata janë gjithashtu të shqetësuar se si kjo mund të përdoret dhe abuzohet nga Beogradi.
Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri.
Unë mendoj se shqetësimi i tyre kryesor është pikërisht ky: tani që Rusia u plagos rëndë në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit të saj, ata kanë interes për përhapje. Ata kanë interes të transferojnë përpjekjet e tyre luftënxitëse në Ballkan, ku kanë një klient që është në Beograd.”