Një pako e dyshimtë është konstatuar në zonën e kargos në aeroportin e Rinasit.
Mësohet se menjëherë pas informacioneve, janë organizuar Njësia Antieksploziv e Repartit Special RENEA dhe policia e shtetit. Nga verifikimet u konstatua se pakoja nuk kishte probleme.
Mirëpo kjo ka shkaktuar panik e për fat të mirë rezultoi alarm fals.
“Rinas/Informacion paraprak: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas janë njoftuar se gjatë skanimit të disa pakove në ambientet e godinës së Kargos, është konstatuar një pako e dyshimtë.
Menjëherë pas njoftimit, janë kryer të gjitha veprimet procedurale për sigurinë e shtetasve që ndodheshin në këto ambiente apo pranë tyre.
Nga veprimet e shpejta ekzaminuese, të kryera nga Njësia Antieksploziv e Repartit Special RENEA, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të Drejtorisë së Antiterrorit, rezultoi se pakoja nuk kishte probleme.
Grupi hetimor vijon veprimet verifikuese, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Rinasit.