Aksidenti i një dite më parë i regjistruar në Tiranë, në zonën e ‘Astirit’, ku një këmbësor i preu rrugën një makine dhe për pasojë gjeti vdekjen, është një tregues për të ngritur alarmin mbi mosrespektimin e qarkullimit rrugor në vendin tonë, duke përfunduar në fatalitete. Referuar videove që u bënë publike dje, u kuptua se ishte faj i këmbësorit i cili kaloi në mes të rrugës, aty ku një kalimtar nuk duhet të kalojë.
Nisur nga kjo, VesaNews ka marrë në intervistë ekspertin, Fatjon Softa, i cili është shprehur se këmbësorët jo pak raste janë bërë shkaktarë për aksidente, për pasojë thekson se do duhet të rriten ndëshkimet ndaj tyre. Kodi Rrugor e parashikon ndëshkimin e këmbësorëve, por deri më tani nuk është vënë në zbatim. Mirëpo në kushtet kur duket e vështirë që të ketë një polic rrugor për çdo kalimtar, Softa thotë se kjo duhet të jetë kompetencë e Bashkisë dhe jo “Rrugores”.
“Të largohet Policia e Shtetit. Trafikun dhe problemet në qendrat urbane duhet t’i ketë bashkia dhe Policia Bashkiake”, tha Softa për VesaNews.
Të gjithëve ne për fat të keq na ka rastisur të shohim, kryesisht në autostradën Tiranë-Durrës, teksa qytetarë kalojnë rrugën edhe pse është rreptësisht e ndaluar. Në raste të tilla, reagimi i shoferit është pothuajse i pamundur, prandaj si zgjidhje për të parandaluar aksidente të këtij lloji, Softa ka një zgjidhje.
“Sipas meje, Kodi duhet të parashikojë që kalimi i rrugëve si në autostrada apo superstrada, duhet të klasifikohet si vepër penale. Ka gra të moshuara që nuk e dinë e çfarë është shpejtësia dhe bëjnë manovra dhe kalojnë rrugën. Duhet të ketë kufizim të mundësive për të hyrë në rrugë ku shpejtësia është mbi 80 km/h jo vetëm për njerëzit, por edhe kafshët si rreziqe potenciale”, tha ai.
Kjo mund të bëhet duke marrë indicie nga gjëra krejtësisht të vogla.
“Ka njerëz që vendosin tulla apo dërrasa që ndihmojnë në ngjitjen në barrierat në autostradë dhe janë të dukshme edhe për efektivët. Në këto raste hip polici dhe vendos radar që nuk shkon”, tha ai, duke theksuar se duhet të ketë gjoba, si një formë edukimi.
Një problematik janë edhe rrugët e pacertifikuara.
Çfarë parashikon kodi Rrugor për ndëshkimin e këmbësorëve
Në ligjin shqiptar ekziston neni që lejon marrjen e masës administrative gjobë ndaj këmbësorëve. Kodi Rrugor në nenet 188 dhe 189 të tij ka përcaktuar detyrimet e këmbësoreve ndaj drejtuesit të mjeteve dhe anasjelltas.
Neni 188
Sjellja e këmbësorëve (shtuar një fjali në fund të pikës 8 me ligjin nr. 63/2021, datë 7.5.2021)
1. Këmbësorët duhet të qarkullojnë në trotuare, bankina, shëtitore dhe hapësira të tjera të caktuara për ta. Kur këto mungojnë, janë të zëna, të ndërprera ose të pamjaftueshme, duhet të qarkullojnë në buzën e karrexhatës në sens të kundërt me lëvizjen e mjeteve dhe në mënyrë të tillë që të krijojnë një pengesë sa më të vogël për qarkullimin. Jashtë qendrave të banuara, këmbësorët kanë për detyrë të qarkullojnë në sens të kundërt me atë të lëvizjes së mjeteve në karrexhata me dy sense lëvizjeje dhe në buzën e djathtë në lidhje me drejtimin e lëvizjes së mjeteve në rastin e karrexhatave me një sens lëvizjeje. Këmbësorët që qarkullojnë në karrexhatat e rrugëve brenda dhe jashtë qendrave të banuara, pa ndriçim publik, kanë për detyrë të lëvizin në një rresht të vetëm.
2. Këmbësorët, për kapërcimin e karrexhatës, duhet të përdorin vendkalimet këmbësore, nënkalimet dhe mbikalimet jashtë qendrave të banuara. Kur këto nuk ekzistojnë, ose janë më 125 shumë se 100 metra larg nga vendi i kapërcimit, këmbësorët mund të kapërcejnë karrexhatën vetëm në drejtimin perpendikular, me kujdesin e nevojshëm për të shmangur situata të rrezikshme për të ose për të tjerët.
3. Është e ndaluar për këmbësorët të kapërcejnë kryqëzimet në mënyrë diagonale dhe, gjithashtu, ndalohet kapërcimi i shesheve jashtë vendkalimeve këmbësore, kur ato ekzistojnë.
4. Është e ndaluar për këmbësorët të qëndrojnë ose të vonohen në karrexhatë, përveç rasteve kur është e domosdoshme për sigurimin e lëvizjes. Është gjithashtu i ndaluar qëndrimi në grup në trotuare, bankina ose pranë vendkalimeve këmbësore, duke krijuar pengesë për kalimin normal të këmbësorëve të tjerë.
5. Këmbësorët që do të kapërcejnë karrexhatën në një zonë të papajisur me vendkalim këmbësorësh duhet t’u japin përparësinë drejtuesve të mjeteve.
6. Është e ndaluar për këmbësorët të kryejnë kapërcime rrugore, duke kaluar përpara autobusëve, trolejbusëve dhe tramvajeve që kanë ndaluar në stacione.
7. Mjetet e papajisura me motor që përdoren nga fëmijët ose nga persona invalidë, mund të qarkullojnë në pjesët e rrugës të caktuara për këmbësorë.
8. Qarkullimi me anë të patinave, karrocave ose me të tjerë shpejtues lëvizjeje është i ndaluar në karrexhatat e rrugëve. Në karrexhatat e rrugëve lejohet qarkullimi i patinave elektrike për të cilat zbatohen rregullat e përcaktuara në nenin 180 të këtij Kodi.
9. Është e ndaluar kryerja në karrexhatë e lojërave ose manifestimeve sportive të paautorizuara. Në hapësirat e caktuara për këmbësorë është i ndaluar përdorimi i karrocave, patinave ose i shpejtuesve të tjerë të lëvizjes që mund të krijojnë situata të rrezikshme për përdoruesit e tjerë.
Pse nuk është vënë në zbatim?
Një vështirësi për zbatimin e këtyre neneve ka qenë dhe se si duhet të vilet kjo masë administrative. Natyrisht këmbësorët kanë një dokument që quhet dokumenti i identifikimit me vete dhe përmes këtij dokumenti, punonjësi i policisë rrugore i vë gjobën në emër të tij dhe kjo masë administrative i del online në të gjitha shërbimet publike që qytetari do haset, në pagesat në Bashki, kalimin e kufirit, marrjen e pensionit..etj. Mirëpo, deri më tani nuk ka asnjë këmbësor të gjobitur, për shkak të mungesës së teknikaliteteve./ B.K