Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali Stuart Munsch, tha se do të vazhdojë partneritetin afatgjatë me Serbinë, dhe shtoi se marrëdhëniet e forta mes dy palëve janë të mundshme edhe pa hyrjen e Serbisë në aleancën ushtarake.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Beta, admirali tha gjithashtu se NATO i bën thirrje Rusisë që të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor, por tha se “për fat të keq, ajo rregullisht bën pikërisht të kundërtën”.
Munch, i cili do të marrë pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të shefit të Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd, nuk ka dashur të komentojë qëndrimin e Beogradit ndaj Moskës, pra refuzimin e saj për të vendosur sanksione.
“Në nivelin tim, në nivelin e koordinimit të marrëdhënieve ushtarake ndërmjet NATO-s dhe Serbisë, mendoj se lufta në Ukrainë nuk ka asnjë pasojë negative në aftësinë tonë për të komunikuar dhe bashkëpunuar. Nuk do të komentoj vendimet politike të Serbisë, por do themi se mirëpresim mbështetjen e Serbisë për dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”, tha ai.
Manch, i cili takoi ndaras të martën presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiç, tha se përfaqësuesit e NATO-s “shohin rregullisht aktivitete hakerimi, dezinformim, frikësim dhe aktivitete të tjera destabilizuese” të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
“Vitin e kaluar, Rusia dhe Kina punuan së bashku në OKB për të minuar qëllimet e komunitetit ndërkombëtar për të zgjeruar misionin e Bashkimit Evropian Altea (në Bosnje dhe Hercegovinë). Ky është vetëm një shembull tjetër i ndikimit gjithnjë e më të dëmshëm të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.
“Ne mirëpresim partneritetin tonë të ngushtë me Serbinë. Ne mund të kemi marrëdhënie të forta me partnerët tanë, siç kemi me Austrinë dhe Zvicrën, pa u anëtarësuar ata. Ne e respektojmë plotësisht vendimin e tyre për të mos u anëtarësuar në NATO, ashtu siç respektojmë vendimet e të tjerëve për t’u bashkohuar me ne”, tha ai.
Ai shtoi se NATO beson se një partneritet afatgjatë me Serbinë, i bazuar në dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik, kontribuon në forcimin e marrëdhënieve reciproke të dobishme midis dy palëve, si dhe në forcimin e stabilitetit në të gjithë rajonin.