Në shtëpinë e Bukurosh Kalaverit, në Thumanë të Krujës, janë hapur dyert e mortit. Orëve të vona të së enjtes, ata u lajmëruan se djali i tyre, Elsoni, ka ndërruar jetë pas një atentati me armë në Pisa të Italisë, vend në të cilin ai jetonte dhe punonte prej vitesh.
Mediat italiane nuk bëjnë me dije emrin e viktimës se atij atentati në një periferi të një qyteze të këtij qyteti, por ka qenë personi që e shoqëronte, ai që ka tentuar t’i japë ndihmën e parë duke e nisur për në spital, por i riu nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të shumta që kishte marrë.
Ndonëse Elsoni njihej në vendin tonë për një ngjarje të ndodhur 8 vite më parë, ai mësohet se në Itali, pasi kishte kryer një dënim, punonte si murator dhe se Policia italiane nuk ka mundur të gjejë shkakun real të asaj prite fatale, nga e cila mësohet se u lëshuan plot 15 plumba.
Është marrë dëshmia e parë e personit që ishte në makinë me të dhe më pas edhe e disa personave të tjerë, të cilët e kanë parë ngjarjen. Nga të dhënat që ka transmetuar dje Policia dhe grupi hetimor në Pisa, bëhet me dije se atentatorët kanë qenë të maskuar dhe nuk i kanë dhënë asnjë mundësi shqiptarit që e shoqëronte Elsonin ta shpëtonte.
VRASJA
Orëve të pasdites së djeshme, autoritetet italiane kanë hedhur dritë mbi pak detaje që lidhen me zbardhjen e dinamikës së vrasjes së shqiptarit 36-vjeçar në provincën e Pizës.
Ata konfirmojnë se shqiptari është goditur me 15 plumba brenda automjetit, në të cilin udhëtonte. Sipas Policisë italiane, shqiptari (që as orëve të vona të së mbrëmshmes nuk ia kanë publikuar emrin) është goditur ndërsa udhëtonte në një automjet të tipit “Mercedes Classe B”, me ngjyrë të verdhë ari e me targa gjermane.
Ngjarja ka ndodhur në orën 18:30 të pasdites së të enjtes në qytezën Sasso Pisano në komunën e Castelnuovo di Val di Cecina të Pizës.
Automjeti ku u godit viktima drejtohej nga një tjetër shqiptar, i cili mendohet se është me banim në Shqipëri dhe kishte shkuar disa ditë si turist në Itali, por ende nuk bëhet me dije se kush është ai person dhe se cila ka qenë lidhja e tij me viktimën.
Atentatorët, që sipas Policisë nuk dihet se me çfarë kanë lëvizur, kanë përdorur në ekzekutim një pistoletë gjysmë automatike, ndërkohë që nga dëshmitarët okularë u tha se kanë ikur me një automjet me ngjyrë të errët. Por Policia italiane, edhe pse ka parë kamerat e sigurisë në zonë, nuk ka preferuar të flasë mbi mënyrën se si janë larguar vrasësit e Elson Kalaverit, djalit 36-vjeçar i cili jetonte dhe punonte në Siena.
Autoritetet vendase po presin të afërmit e viktimës për të bërë njohjen e trupit, ndërkohë që janë shumë hermetikë për sa u përket hetimeve. Ata kanë kthyer vëmendjen tek e shkuara e Elsonit për një precedent penal të mëhershëm në Itali, ndërkohë që nuk bëhet me dije nëse kanë kërkuar ndihmë nga ana e homologëve shqiptarë për dosjen e viktimës.
8 VITE MË PARË
Asokohe, Elsoni ende nuk i kishte mbushur 28 vjeç kur u bë protagonist i një ngjarjeje shumë të rëndë. Ishte janari i vitit 2014 kur Elsoni do të ngatërrohej me një fqinjin e tij. Sherri nisi në një lokal muzike live në afërsi të Rinasit, ndërkohë që u tha se Elsoni u përplas në lokal me disa persona të tjerë, të cilët e kishin akuzuar Elsonin se iu kishte ngacmuar partneret.
Mirëpo, në fakt, Elsoni u dëshmua më vonë se në lokalin e fqinjit të tij, Gentian Keçi, ishte i shoqëruar me dy mikeshat e veta. Djemtë dalin përjashta të sqarojnë sherrin dhe në fakt Elsoni mori dy shoqet e tij dhe iku nga lokali për të mos e vijuar konfliktin. U tha asokohe nga Policia se Gentiani e ndoqi Elsonin, por ky i fundit, për të shmangur konfliktin, shkoi dhe u dorëzua në postën policore të Mamurrasit.
Aty, pas pak minutash, shkoi edhe Gentiani, por ndonëse ishte në duart e punonjësve të Policisë, Elsoni nxori armën dhe qëlloi mbi komshiun e tij duke e plagosur me plumb në kokë. Ngjarja asokohe u konsiderua një skandal, pasi Policia e Lezhës nuk e raportoi duke bërë që opozita ta ngrinte si çështje edhe në Parlament.
E ndërsa Gentiani luftonte me vdekjen në Spitalin Ushtarak, Elsoni u mbrojt me idenë se qëlloi për vetëmbrojtje, ndonëse u tha se Elsoni ishte në duart e Policisë. Gentiani për fatin e tij të mirë arriti t’i shpëtonte atij plumbi, ndërkohë që vetëm 8 vjet pas asaj ngjarjeje Elsoni do të vritej në Itali.