Tendencat e zyrës së ardhshme po shënojnë një udhë të re drejt punës së shpejtë, inovacionit dhe përshtatshmërisë. Kapaciteti për të përshpejtuar ndryshimin dhe për të mbështetur një lloj pune dhe fuqi punëtore krejtësisht të re po bëhet faktori kryesor për suksesin e bizneseve, jo vetëm në Shqipëri, por kudo.
Në Shqipëri po ndodh një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si punonjësit po mendojnë për vetë punën. Pyetja që bizneset në vend po fillojnë të bëjnë është si mund të përshtaten zyrat me këtë gjendje të re dhe komplekse?
Pandemia lejoi një numër të madh njerëzish të fillojnë të punojnë nga shtëpia – dhe shumë nuk janë entuziastë për rikthimin e plotë në zyrë. Tashmë, me prezantimin e punës hibride, si dhe me fokusin e drejtuar të burimeve njerëzore të kompanive shqiptare, mjediset e punës po ndryshojnë.
Zyra tani shihet si një ambient socializmi, diskutimi, mbledhje etj. Kjo ka ndryshuar formën se si zyrat perceptohen dhe nevojat që ka. Mënyra e të punuarit hibrid ka bërë që hapësira e punonjësve të ndryshojë në bazë të personave të pranishëm në zyrë.
Vetë puna është bërë e përhapur dhe e shpërndarë, dhe ne kemi nevojë për mënyra të reja për të lundruar në marrëdhëniet midis vendit të punës private dhe sferës publike.
Si vlerësohet performanca për punonjësit në punën hibride
Edhe Roden Pajaj, Drejtori Rajonal i Burimeve Njerëzore për “Deloitte”, bie dakord që pandemia ka ndryshuar rrënjësisht peizazhin e punës, duke nxitur një tendencë të re drejt punës hibride.
Ai thotë se kjo periudhë ka provuar se fleksibiliteti është në kërkesë, veçanërisht nga brezi i ri, gjenerata Z, i cili dëshiron të ketë mundësinë për të punuar në mënyrë të lirë, jashtë kufijve të traditave të vendosura.
Puna hibride, e cila kombinon punën në zyrë me atë nga shtëpia, ka shërbyer si një mundësi e shkëlqyeshme për të thyer barriera dhe për të hapur rrugën për një treg të punës pa kufij. Megjithatë, siç shprehet Pajaj, kjo kërkon një qasje të re në lidership dhe aftësi menaxheriale, duke përfshirë dhe rishikimin e qëllimeve dhe ambientit të zyrës.
Një nga sfidat më të mëdha që dalin nga ky realitet është përmirësimi i sistemit të vlerësimit të performancës për punonjësit në punën hibride. Tradicionalisht, performanca është vlerësuar duke u bazuar në metrika të caktuara dhe dukshmëritë, por me kalimin në punën në distancë, kjo metodë bëhet e vështirë për zbatim.
Pajaj thotë se është koha për një qasje të re, e cila vlerëson produktin final dhe kontributin që sjell punonjësi për kompaninë.
Në anën tjetër, një sfidë tjetër është ndërtimi i lidhjeve personale të punonjësve me kompaninë në një ambient virtual. Me punën në distancë, është e rëndësishme të sigurohet që punonjësit të kenë ndjenjën e përkatësisë dhe të ndihen të lidhur me ekipin dhe qëllimet e kompanisë.
Sidoqoftë, përtej sfidave, ekzistojnë edhe mundësitë për rritje dhe zhvillim në këtë kontekst. Menaxhimi i skuadrave hibride dhe aftësia e lidershipit të përfshirë janë disa nga pikat që duhet të përqendrohemi për të siguruar një ambient të suksesshëm pune në këtë periudhë të re.
Në fund, përfaqësuesi i “Deloitte” në Shqipëri thekson se ka shumë të rinj shqiptarë që tashmë punojnë me kompani të huaja nga distanca, veçanërisht kompani amerikane, duke treguar se puna hibride po bëhet një realitet edhe në tregun shqiptar të punës.
Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të ri në mënyrën se si ne punojmë dhe si kompanitë përshtaten me këtë realitet të ri – shprehet ai./ Monitor