Tre-mujori i parë i këtij viti ka patur një bum udhëtarësh për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, krahasuar me vitin e kaluar.
Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2024 TIA raporton 63.9% më shumë udhëtarë sesa e njëjta periudhë, vitin e kaluar. Plot 1,910,616 pasagjerë kanë hyrë dhe dalë nga kjo portë që tashmë është kryesore për Shqipërinë, krahasuar me 1,166,000 pasagjerë, për tre-mujorin e parë të vitit 2023.
Theksojmë gjithashtu se viti 2023 ishte një vit rekordi në shifra pasagjerësh ku deri në fund të muajit dhjetor u numëruan mbi 7.2 milionë. Kjo ka qenë shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, e cila ishte edhe pika më e madhe e fluksit të turizmit në vend ku në total, në të gjithe Shqipërinë u regjistruan 10 milionë udhëtarë.
Me marrëveshjet e reja për linjat low cost si edhe me shtimin e madh të linjave të reja me destinacione direkte, TIA vijon të ketë rritje të pakrahasueshme udhëtarësh dhe kjo është mëse e dukshme edhe nga shifrat e këtij viti. Drejtuesit e aeroportit kanë parashikuar që për vitin 2024 të mirëpresin mbi 9 milion pasagjerë, por me trendin e deritanishëm, ky target duket se do të tejkalohet.
Muajt me fluksin më të madh pritet të jenë muajt maj – tetor, periudhë kur janë shtuar edhe shume destinacione direkte, sezonale, për të rritur sa më shumë mundësitë për pushimet verore. Për të përballuar këtë fluks, TIA ka zgjeruar terminalin si edhe është duke punësuar staf sezonal që t’i përgjigjet me shërbim udhëtarëve të shumtë.