Ka një industri që do të mund të ishte ambasadore e produkteve tona në botë apo edhe e nxitjes së turizmit. Dhe ajo është kinematografia. Por, një industri që ka vuajtur nga mungesa e financimit ndër vite.
Në një nga episodet e Podcastit “Business Plus”, i ftuar ishte regjisori Robert Budina. Ai theksoi se sektori vijon të vuajë nga mungesa e financimeve dhe njëkohësisht, mungesa e vizionit për ta zhvilluar potencialisht.
“Ka shumë mekanizma që duhet të punojnë bashkë që sektori të lulëzojë. Që Shqipëria të bëhet një shesh xhirimi për Hollywood ka nevojë për kineastë, ka nevojë për njerëz që të punojnë në fushën e produksionit kinematografik.
Por, që njerëzit të punojnë në këtë sektor dhe të mos e braktisin atë për të shkuar në fusha të tjera si televizione ku ka një mundësi më të madhe për të nxjerrë të ardhura mujore, atëherë ka nevojë që të ketë projekte vendase. Por ekzistenca e projekteve lidhet ngushtë me një politikë financiare më të konsoliduar se kjo që kemi aktualisht.”- thotë z. Budina.
Përpos kësaj, në vendin tonë mungon skema e njohur si ‘tax shelter’.
Si funksionon kjo skemë: Krijohet një “tax credit” ose “shelter”, të cilat janë 20 ose 30%, në varësi të shteteve. Më pas, verifikohet buxheti i shpenzuar për filmin, pasi të xhirohet dhe rikthehet taksa e paguar në momentin fillestar (pra 20 – 30% e buxhetit). Nga pikëpamja ekonomike, këto projekte janë investime të mirëfillta financiare prej miliona eurosh, të cilat investohen në Shqipëri.
Kjo nismë do ta vendoste Shqipërinë në hartën e vendeve që ndjekin politikën e ekonomisë kreative. Gjithashtu do të hapte një mundësi për punësim dhe zhvillim jo vetëm të ekonomisë lokale por edhe të turizmit.
“Ne e themi shpesh si shprehje që 1 lek i investuar në këtë drejtim do të kthente 5 lekë mbrapsht dhe potenciali në këtë drejtim është real. Ekziston një mendësi, kur ti shkon jashtë, dhe ai vend prodhon filma, të krijohet një ide që ky vend i ka zgjidhur problemet ekzistenciale dhe shikon pak më tutje, shikon drejt kulturës.
Ne duhet të krijojmë këtë perceptim dhe ta rrisim këtë fushë, me investime. Gjatë xhirimit të filmit Streha Mes Reve, në Valbonë, qëndruam në bujtinat vendase prej 6 muajsh me trupën e xhirimit.
Pas 1 viti, vumë re se biznesi ishte zgjeruar me disa bujtina më tepër, te cilat do të jenë në funksion të turistëve e do të gjenerojnë të ardhura më tepër në vijimësi. Pra potenciali i investimit dhe shpenzimit në këtë sektor është real, jo vetëm në këtë shembull që mora.
Filmi në rastin konkret mori pjesë në 30 kompeticione të huaja dhe zgjoi vërtet kureshtje për vendin tonë. Pra ju e shikoni se çfarë zinxhiri fshihet mbrapa kinemasë”- thotë regjisori.
Z. Budina, i pyetur se cilat do të ishin hapat apo masat konkrete në këtë moment për të nxitur sektorin, tha se duhet një ligj më të i konsoliduar, menaxhim më praktik i buxheteve të Qendrës Shqiptare të Kinematografisë, si dhe një buxhet më i konsiderueshëm.
“Nëse do rritej buxhetimi dhe do hapeshin konkurset së paku 2 herë në vit për filma, të jeni të bindur që do të afroheshin kineastë të rinj apo do nxiteshin projekte të reja.
Duke pasur më shumë prodhim, do kishim më tepër mundësi për konkurse jashtë dhe si rezultat, vizibilitet më të lartë. Gjithashtu, më shumë prodhim do të thotë shtëpi produksioni më shumë, përvojë më shumë. Kështu, investitorët e interesuar do ta merrnin më seriozisht Shqipërinë. Jo pak herë kanë zgjedhur Serbinë në rajon”- përfundoi ai.
Në një krahasim rajonal, Shqipëria rezulton me buxhetin më të ulët për prodhimin e filmave. Regjisori Budina tha me tej se, Kosova, ka një buxhet 3vjeccar prej 11 milion eurosh. Aktualisht, në Shqipëri buxheti vjetori është 1.3 milion euro./ Monitor