Çmimi i ulët i luleshtrydhes ka ngritur mëngjesin e kësaj të shtune dhjetëra fermerë në protestë. Të ardhur nga të gjitha fshatrat e njësisë administrative Frakull, ata janë bërë bashkë pasi i gjithë investimi po u shkon dëm.
Ata pohojnë se për kultivuesit e luleshtrydhes ky është viti më i keq pasi kurrë më parë nuk ka ndodhur që në këtë periudhë të vitit çmimi të arrijë deri në 50 lekë për kilogramë, ndërkohë që hedhin poshtë zërat se prodhimi i kësaj zone nuk është bio.
Përballë kësaj situate fermerët kanë kundërshtuar fuqishëm dhe politikat e pikave të grumbullimit të cilat sipas tyre po e vendosin çmimin sipas dëshirës teksa apelojnë njëzëri për të gjitha institucionet përgjegjëse që t’u vijnë në ndihmë në këtë situatë të vështirë që po i çon drejt falimentimit.