Risi në kombëtaren shqiptare. Trajneri i përfaqësueses Sylvinho ka afruar një futbollist që do të veshë për herë të parë fanellën kuqezi.
Arbër Hoxha i lindur në Pejë, ka përfaqësuar kombëtaren e 21-vjeçarëve të Kosovës.
Sulmuesi 25-vjecar luan për Dinamon e Zagrebit dhe një natë më parë në Conference League shënoi golin e vetëm të skuadrës së tij në ndeshjen ndaj PAOK.
Tekniku Brazilian ka rikthyer edhe disa lojtarë të tjerë. Mbrojtësi Marash Kumbulla ka munguar për shkak dëmtimi.
Nga ana tjetër Naser Aliji grumbullohet sërish. Ai ishte pjesë e kombëtares në qershorin e vitit të kaluar për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, por nuk u aktivizua në lojë.
Me 19 golat e shënuar në Turqi, Rey Manaj e meritoi grumbullimin, por nga ana tjetër vjen edhe Armando Broja, pasi në ndeshjet ku ka luajtur ka qenë vendimtar me praninë e tij.
Reparti i sulmit dhe i mbrojtjes janë më të kompletuarit me nga 9 lojtarë ndërsa në mesfushë janë të njëjtët lojtarë Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Keidi Bare dhe Nedim Bajrami.
Dy ndeshjet miqësore të marsit, ndaj Kilit më 22 në Parma dhe Suedisë më 25 në Solna të Stokholmit janë pjesë e përgatitjeve të përfaqësueses për finalet e europianit të Gjermanisë.
Grumbullimi i lojtarëve do të nisë që këtë të diel në Tiranë ndërsa grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë të hënën më datë 18 Mars, si dita e parë zyrtare e përgatitjeve.
Seancat e para stërvitore do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa të enjten kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Parmës.
Në të dyja këto ndeshje miqësore, pritet një mbështetje e madhe në stadium.