Për të katërtin vit, fermerët e sektorit të bujqësisë do të mbështeten me naftë falas. Skema që nisi zbatimin nga viti 2021, për këtë parashikon mbështetje për naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi në vlerën e rreth 1,2 miliardë lekëve.
Por ndryshe nga vitet e kaluara, subjektet nuk do të tërheqin sasinë e naftës përfituese, por do të përfitojnë pagesa për uljen e kostos për naftën, që përdoret për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, sipas kritereve dhe masës së përfitimit, të përcaktuara në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë të botuar në Fletoren Zyrtare.
Referuar tabelës për normativat e konsumit të naftës dhe sasia respektive e naftës, për të cilën përllogaritet vlera e përfitimit sipas kulturave të mbjellave për grupin e parë të kulturave si: misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum normativa e konsumit është 190 litra/ha. Sasia e naftës që përfitohet është 97 litra për ha. Këtë vit, fermeri subvencionin e naftës e përfiton në vlerë. Për këtë grup kulturash vlera që përfitohet është 18,789 lekë/ha.
Për grupin e dytë e të mbjellave, si: grurë, tërshërë, thekër, elb), foragjere njëvjeçare, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk vlera që përfitohet është 12,784 lekë/ha.
Për grupin e tretë të mbjellave me foragjere shumëvjeçare, bimë aromatike-mjekësore do të përfitohet 8,910 lekë /ha.
Ndërsa për drurët frutorë dhe të perimeve të fushës dhe serrës, pagesat për naftën variojnë nga 3,946 lekë/ha deri 8,789 lekë/ha.
Subjektet përfituese duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme: i. të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës; ii. sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 1 (një) ha, ndërsa madhësia e parcelave me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.
Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet me vetëdeklarim.
Përfitimi për sipërfaqen që kultivohet është, si: deri në 100% të vlerës, për fermerët/aplikantët me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra, referuar aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi; për sipërfaqen mbi 10 ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “grup fermerësh” ose “SHBB”.
Vendimi përcakton se aplikimet do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit/kontrollit administrativ dhe për aplikimet fituese kryhet kontrolli në terren.
Procesi i kontrollit në terren kryhet pas kalimit të pagesës te subjektet përfituese: i. për të vlerësuar përputhshmërinë e vetëdeklarimeve me situatën reale dhe shmangien e lejuar të faktit të verifikuar të kulturave dhe të sipërfaqes së kultivuar, në raport me vlerën e përfituar, e cila të jetë jo më e madhe se 20%; ii. në jo më pak se 10% të subjekteve përfituese, përfshirë kontrollin e të gjitha subjekteve me sipërfaqe mbi 10 ha.
Çdo subjekt, që përfiton nga skema e mbështetjes për naftën për bujqësinë, me shmangie më të madhe se 20% ose me deklarime/dokumente të pasakta, përjashtohet për 3 vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit./ Monitor