Hyseni, Hygerta, Amarildo dhe gruaja e Pëllumb Metës, Blerina Meta dinë të përdorin armë. Ky fakt është bërë i ditur falë një eksperimenti hetimor që është kryer nga Prokuroria në një poligon në Durrës.
Për krimin makabër, vrasjen e më pas groposjen e 49-vjeçarit janë arrestuar dy djemtë Hyseni dhe Amarildo si dhe vajza Hygerta Meta. Fillimisht ishte studentja, e cila pranoi se kishte vrarë babanë, pasi ai do ta fejonte pa dëshirën e saj, më pas hetuesit dolën në konkluzionin se autor i vrasjes është djali Hyseni. Por, në Gjykatë, Hygerta këmbënguli se e kreu krimin e vetme, çka i çoi hetimet në pikën zero.
Pëllumb Meta u denoncua si i zhdukur nga djali Hyseni tri ditë pasi e kishin vrarë brenda në shtëpi dhe zhdukur trupin pranë kasolles. Pas zbulimit të trupit, Hygerta pranoi krimin dhe tha se babai kishte vendosur ta fejonte me një emigrant pa dëshirë. Ndërsa pretendonte se babai i kishte dhunuar në mënyrë sistematike. Policia arrestoi më pas dy djemtë e viktimës dhe ishte Hyseni djali i madh që pranoi krimin.
Eksperimenti i kryer ditën e sotme nga Prokuroria, duket që i ka çuar sërish hetimet në pikën zero, pasi duke ditur të katërt të përdorin armën, nuk dihet se kush mund ta ketë qëlluar 49-vjeçarin.
Ndërkohë që kanë dalë edhe rezultatet e analizave nga laboratori kriminalistikes në lidhje me gjurmët e gjetura në armën e zjarrit me të cilën u qëllua 49-vjeçari. Policia është befasuar nga rezultatet pasi në pistoletë janë gjetur gjurmë të djalit të vogël, Amarildo Metës.