Ka një të arrestuar për shpërthimin e ndodhur në kapanonin në ndërtim në Lushnje ku më 1 mars ndodhi shpërthimi që i mori jetën babë e bir, Roland dhe Elion Hoxha ndërsa u plagosën 7 të tjerë. Në pranga ka rënë sipërmarrësi që do kryente punimet, Leonard Gjini.
Sipas njoftimit të policisë, 32-vjeçari Leonard Gjini akuzohet për veprën “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” me pasoja të rënda. Leonard Gjini me mosveprimet e tij, ka lejuar kryerjen e punimeve pa respektuar rregulloret e sigurimit teknik.
Ndërkohë, në dosjen e Prokurorisë, Leonard Gjini ka dëshmuar se ai ka pasur një kontratë me firmën e deputetit por nuk kishte çuar asnjë punonjës në ndërtesë pasi po priste thirrjen e deputetit Bujar Çela që të niste punën.
Shpërthimi erdhi pas një defekti teknik në bombolën e oksigjenit të cilit i ka dalë kapsula e mbrojtjes duke shkaktuar flakë e më pas ka ardhur momenti tragjik.