Numri i lindjeve në vend ka pësuar rënie, e një zonë e prekur është gjithashtu edhe Lezha.
Të dhënat zyrtare tregojnë se përgjatë vitit 2023 kanë ardhur në jetë 111 foshnje më pak se viti paraardhës.
Një mjekje gjinekologe rendit disa prej shkaqeve të kësaj situate, ku kryesorja është tkurrja e popullsisë dhe planifikimi familjar.
“Për vitin 2023 totali ka qenë 880 lindje. Në krahasim me 2022 kemi ulje me 111 lindje”, tha mjekja.
Çiftet e reja po zgjedhin të sjellin në jetë më pak fëmijë, ndërsa lindje të shumta ka pasur nga gratë e komunitetit afgan që jetojnë në Shëngjin prej shtatorit 2021.
“Nuk është më ai numri i madh mbi tre fëmijë , përveç afganëve që vijnë me fëmijën e gjashtë, të shtatë, të tetë. Ka pasur një bum të madh afganësh”,- u shpreh mjekja gjinekologe.
Spitali Obsetrik-Gjinekologjik në Lezhë është ndërtuar vitet e fundit me standarte e kushte bashkëkohore dhe shërben për gjithë qarkun, përfshihen dhe Kurbini me Mirditën.