Prokuroria e Fierit po heton rreth ngjarjes së rëndë në Lushnjë, ku babë e bir humbën jetën nga shpërthimi i fuqishëm, ndërsa mbetën të plagosur disa të tjerë.
Prokurorët kanë urdhëruar kryerjen e disa ekspertizave për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit, ndërsa nga ana e policisë këtë të dielë janë referuar materialet organit të akuzës. Shkatërrimit të pronës, shkelje të rregullave të mbrojtjes në punës, si edhe shkelja e lejes së subjektit për të kryer ndërtime në atë zonë, janë ato që po verifikohen nga policia dhe prokuroria.
Janë sekuestruar edhe dhjetëra pamje të kamerave të sigurisë së objekteve afër vendit të ngjarjes. Veprimet po vijojnë ende në terren, ndërsa janë në pritje që edhe ekspertet të thonë fjalën e tyre në lidhje me shkaqet që çuan në ngjarjen e rëndë. Në pyetje pritet të merret edhe pronari i biznesit, deputeti i PS Bujar Çela, i cili vijon të qëndrojë në Spitalin e Traumës ku po merr ndihmën mjekësore.
2 të vdekur e 7 të plagosur është bilanci i shpërthimit të fuqishëm (1 mars) në magazinën në ndërtim që thuhet se është e deputetit. Babë e bir, Roland, 51-vjeç, dhe Elidon Hoxha 23 vjeç, që punonin me vinçin e tyre humbën jetën pas shpërthimit të një bombole oksigjeni që po transportonin.