Rëndohet bilanci i viktimave nga shpërthimi i fuqishëm në Lushnje. Raportohet se kanë ndërruar jetë babë e bir, Roland dhe Liridon Hoxha. Mosha e Roland Hoxhës ende nuk dihet por i biri raportohet të jetë i moshës 24-vjeçare.
Babë e bir ndodheshin në vinçin i cili po ngjiste në një ndërtesë një depozitë oksigjeni i cili do të përdorej për saldim. Shpërthimi ka qenë aq i fortë sa Roland Hoxha ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes ndërsa i biri nga plagët e marra, ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës.
Të plagosur kanë mbetur edhe 6 persona, ku dy prej tyre ndodhen tashmë tek Trauma. I plagosur dhe jashtë rrezikut për jetën është edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë në lidhje me zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur qytetin e Lushnjes.