Kryetarja e komisionit parlamentar për shëndetësinë, deputetja demokrate Zheni Gjergji kërkoi sot zbardhjen e shkaqeve të zjarrit në QSUT dhe përgjegjësve si dhe marrjen e masave për ofrimin e shërbimeve jetë-shpëtuese për qytetarët. Përmes një deklarate për median Gjergji bëri me faj drejtuesit e QSUT-së dhe të ministrisë
“Ajo çfarë ndodhi në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është tregues i qartë ku ndodhet sot shëndetësia shqiptare. Qytetarët paguajnë për shëndetësinë më shumë se kushdo në Europë. Por pavarësisht kësaj ata nuk marrin shërbime. Miliardat , Qeveria i çon për biznesin e konçesioneve dhe në xhepat e oligarkëve” deklaron Zheni Gjergji.
Një javë më parë urgjenca e spitalit më të madh në vend, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u përfshi nga zjarri duke nxjerrë jashtë funksioni shërbimet spitalore që ofroheshin aty. Godina e re e urgjencës është përuruar vetëm një vit më pare dhe ka kushtuar plot 17 milion euro.
Për shkak të dëmeve urgjenca është ende jashtë funksionit.
‘Ndërkohë që shkaqet e rënies së zjarrit dhe përgjegjësit duhen zbardhur sa më parë nga organet ligjzbatuese, është e papranueshme që vetëm 2 ditë me parë QSUT ka njoftuar zhvendosjen e shërbimeve të urgjencës në Spitalin e Traumës dhe Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Qytetarë të shumtë në emergjencë shëndetësore janë përballur me dyert e mbyllura të Urgjencës së QSUT-së dhe iu është dashur t’iu drejtohen spitaleve të tjera të kryeqytetit, vonesë që ka rezultuar edhe fatale për pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore. Kjo vetëm si rezultat i papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së drejtuesve të QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë’ deklaroi ajo.