Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me arrestimin e ish-shefit të stacionit policor të Dhërmiut, Sokol Bode. Mësohet se pas arratisjes së ish-policit në vitin 2017 nga vendi, ku për shumë kohë kishte jetuar në Angli, Bode kishte vendosur që të kthehej në Shqipëri dhe të fshihej në vendin e tij të lindjes, Mimias të Beratit, raporton News24.
Në 2017-ën, ku Bode kishte arritur të dilte nga vendi përmes pikës kufitare të Muriqanit, ai kishte përfunduar në Angli. Në aksionin e sotëm merrnin pjesë forcat Shqiponja, FNSH dhe policia e Beratit, ndërkohë që Bode u arrestua në një banesë në këtë fshat.
Po ashtu mësohet se ai ishte i vetëm në banesë në momentin e arrestimit. Kujtojmë se më herët Bode i ka shpëtuar dy operacioneve për kapjen e tij, pasi dyshohet se janë dekonspiruar nga kolegët e tij.
Bode, i cili u arrestua mbrëmjen e sotme (11 gusht) në Berat nga Forcat Operacionale, është dënuar nga GJKKO me 12 vite burg në mungesë Bode, pasi dyshohet se u ka ofruar ndihmë dhe ka mbajtur lidhje me trafikantët Habilaj.