Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati në Gurëz të Kurbinit, ku mbeti i vrarë ekonomisti i kompanisë Selman Mihana dhe u plagos me dy plumba pronari Ardian Gjeloshi.
Burime bëjnë me dije se në ambientet e kompanisë 4 autorët kanë qenë të kamufluar si policë dhe pasi kanë hyrë me automjete në kompani, njëri prej tyre me një ‘Range Rover’, kanë thirrur: ‘Ndal policia’! Më pas autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku.
Sipas burimeve dyshohet se vrasësit ishin me pagesë. Po të njëjtat burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pista e parë ku është përqendruar hetimi ka të bëjë me konfliktet që pronari ka me pjesëtarë të një fisi nga Pllane. Gjithashtu policia si pistë të dytë po heton edhe atë të hakmarrjes. Në vitin 2002 është shënuar një ngjarje e rëndë ku autorë të dyshuar ishin pronari Ardian Gjeloshi dhe vëllai i tij, Dritan Gjeloshi.
Asokohe Ardian Gjeloshi dhe Dritan Gjeloshi qëlluan mbi një kamionçinë dhe lanë të vrarë infermieren Marie Prenga dhe plagosë oficerin e FNSH Kastriot Prenga, si dhe Gjergj e Vitore Prenga. Pista e tretë lidhet me plagosjen e djalit të Ardian Gjeloshajt disa kohë më parë.
(Viktima Selman Mihana)