Një nënkomisar i Policisë së Durrësit se bashkë me djalin e tij kanë qëlluar me armë në drejtim të makinës së një 29-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 13:25, në lagjen numër 2 të qytetit të Kavajës. Sipas Policisë, gjithçka ka nisur pas një sherri për motive të dobëta dhe babë e bir në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qëlluar ndaj të riut Kiti Kazazi, i cili fatmirësisht nuk ka mbetur i lënduar. Polici shkoi për të sqaruar zënkën e të birit, të cilit Kiti Kazazi i kishte parakaluar me shpejtësi një ditë më parë, dhe kjo gjë si duket nuk i ka pëlqyer djalit të efektivit.
Burime bëjnë me dije se arma me të cilën është qëlluar nuk ka qenë arma e shërbimit të efektivit. Djali i tij mbante një armë pa leje. Kjo ngjarje ka çuar në pranga efektivin e Durrësit, Kastriot Gjongecaj, ndërsa djali i tij Denis Gjongecaj 24 vjeç është në kërkim nga policia.